Shkruan: I.M., Nxënëse e vitit të katërt të shkollës së mesme, 17 vjeç

Në Bujanoc, ku jetoj, njerëzit flasin gjuhë të ndryshme. Ndonjëherë edhe mendojnë ndryshe. Por një gjë na bashkon të gjithëve: është ende vështirë të flasim për gjërat që na dhembin përbrenda. Nëse të dhemb barku – shkon te mjeku. Por nëse të dhemb shpirti – hesht. Duron. Buzëqesh. Dhe shtihesh sikur gjithçka është në rregull.

Pse?

Sepse ende është turp të thuash „nuk jam mirë“.

E vërteta është – shumë prej nesh nuk jemi mirë. Dhe jo vetëm të rriturit. Të rinjtë sot përballen me shumë presione: të jemi më të mirët në shkollë, të dukemi perfekt në rrjete sociale, të jemi „normalë“ në shoqëri, të mos i zhgënjejmë prindërit… Po ne, ku mbesim në gjithë këtë?

Shëndeti mendor nuk është luks – është nevojë bazë

Nuk është dobësi të thuash se je në vështirësi. Nuk është turp të shkosh te psikologu. Nuk është e çuditshme nëse ndonjëherë ndihesh i humbur, i vetmuar apo i ngarkuar. Dhe nuk është e vërtetë se „kalon me kohë“. Ndonjëherë kalon, por ndonjëherë duhet ndihmë – bisedë, përkrahje, mirëkuptim.

Në shkollën time nuk kemi psikolog me kohë të plotë. Disa as që guxojnë të kërkojnë ndihmë. Frikësohen se do t’i quajnë „të çmendur“ ose „me probleme“. Por unë mendoj se problemi më i madh është kur të gjithë sillen sikur të rinjtë gjithmonë janë mirë, vetëm sepse janë të rinj.

Në një mjedis multietnik – edhe një barrë më shumë

Përveç gjithçkaje, ne këtu shpesh bartim edhe shqetësime shtesë: përkatësinë, identitetin, paragjykimet. A jam „shumë shqiptar“ për disa, e „jo mjaftueshëm serb“ për të tjerët? A guxoj të flas gjuhën time me zë të lartë? A do të më kuptojnë nëse hapem? Këto pyetje ndoshta duken të vogla, por i mbajmë çdo ditë me vete – dhe dinë të lodhin shumë.

Çfarë mund të bëjmë?

Nuk kemi nevojë të jemi psikologë, por mund të jemi njerëzorë. Dëgjoje shoqen. Pyete shokun si është – me të vërtetë. Mos u qesh me ankthin e dikujt. Mos përhap thashetheme për dikë që shkon në terapi. Dhe më e rëndësishmja – nëse ndihesh keq, mos hesht.

Unë kam mësuar se gjëja më e guximshme që mund të themi është: „Nuk jam mirë.“ Dhe ky është hapi i parë drejt asaj që një ditë të jesh më mirë.