Shkruan: Adrian, 16 vjeç, Preshevë

Shpesh dëgjoj që thuhet se Presheva është e veçantë sepse është vend me shumicë shqiptare në Serbi. Thonë se është sfidë të jetosh këtu për shkak të multietnicitetit, gjuhës, identitetit… Por sinqerisht, për mua kjo kurrë nuk ka qenë problemi kryesor.

Të jesh ndryshe është pjesë e përditshmërisë sime. Në shkollë, në rrugë, në sport – jam mësuar të komunikoj me të gjithë, të dëgjoj mendime të ndryshme, të bashkëjetojmë. Ne të rinjtë nuk e kemi problem diversitetin. Problemi ynë është tjetër – ndjenja që nuk kemi perspektivë.

Prindërit më kanë mësuar të jem i ndershëm, të mësoj, të punoj. Dhe unë përpiqem. Por kur shikoj përreth, pyes veten: për çfarë? Kur nuk e di nëse do të kem mundësi ta tregoj çfarë di. Kur konkurset janë “të mbyllura” para se të hapen. Kur e di që përpjekja ime nuk ka peshë, sepse këtu përparojnë ata që kanë “lidhje”, jo ata që dinë.

Nuk ndjej që këtu ka hapësirë për mua. Jo sepse jam shqiptar – por sepse jam i ri, i zakonshëm, dhe pa mbështetje politike.

Pse të qëndroj? Sepse e dua Preshevën. Këtu jam rritur, këtu kam familjen, shokët. E njoh çdo cep të këtij qyteti. Por ta duash një vend nuk do të thotë të mbyllësh sytë para realitetit. E vërteta është që gjithnjë e më shumë të rinj ndihen se duhet të largohen nëse duan të kenë sukses.

Pse të largohem? Që të kem mundësinë të vlerësohem për dijen time, jo për mbiemrin. Që të kem besim në institucione. Që të di se kam një shans të jetoj me dinjitet, pa u përplasur vazhdimisht me “mure të padukshme”.

Nuk dua të jem edhe një numër në statistikat e atyre që janë larguar. Por nëse qëndroj – dua të jetë për një arsye. Dua të mund të them se jam pjesë e një shoqërie që më sheh, më dëgjon dhe më vlerëson.

Ende nuk e di nëse do të qëndroj apo do të largohem. E di vetëm që nuk jam dembel. Nuk jam i papërgjegjshëm. Nuk jam pa ambicie. Vetëm kërkoj një mundësi të ndershme. Nëse dikush ma ofron këtu – do të qëndroj. Nëse jo… nuk do të ik si frikacak, por do të zgjedh atje ku respektohem.


Оставите одговор