Shkruan: Ivana M., 16 vjeç, Bujanoc
Gjithnjë e më shpesh i dëgjoj bashkëmoshatarët e mi duke thënë se planifikojnë të largohen sapo të përfundojnë shkollën. Thonë se këtu nuk kanë të ardhme, se askush nuk i dëgjon, se sistemi nuk është i drejtë. Dhe shpeshherë pajtohem me ta. Në Bujanoc shumë gjëra nuk funksionojnë siç duhet – njerëzit nuk i njohin të drejtat e tyre, ligjet zbatohen në mënyrë selektive, e të rinjtë rrallë kanë mundësi të marrin pjesë në vendime që i prekin drejtpërdrejt.
Por pastaj e pyes veten: nëse të gjithë ne largohemi, kush do të mbetet për ta ndryshuar atë që na shtyn të largohemi?
Të rritesh në një vend të vogël do të thotë të mësosh të heshtësh. Të mos bësh pyetje të “pakëndshme”. Të pranosh “kështu është tek ne”. Por unë nuk dua të pranoj që shteti i së drejtës ekziston vetëm në librat e edukimit qytetar. Nuk dua të besoj se një i ri duhet të largohet për të ndjerë respekt, drejtësi dhe barazi.
Pse të largohesh? Sepse diku tjetër sistemi funksionon. Sepse ligjet janë të qarta dhe të drejtat respektohen. Sepse dëshiron të mësosh, të përparosh, të zhvillohesh – pa u penguar nga askush në atë rrugë.
Dhe pse të qëndrosh? Sepse nëse të gjithë heshtim ose largohemi, asgjë nuk do të ndryshojë. Sepse shteti i së drejtës nuk krijohet vetvetiu – e ndërton çdo individ që guxon të thotë “kjo nuk është në rregull” dhe kërkon përgjigje. Dhe sepse besoj se edhe këtu ka shpresë, nëse nuk dorëzohemi.
Ky tekst nuk është thirrje as për të qëndruar e as për t’u larguar. Ky është një ftesë për të menduar me kokën tuaj. Për të pyetur. Për të marrë pjesë. Për të besuar se keni të drejtë në drejtësi – qoftë në Beograd, qoftë në Bujanoc.
Ende nuk e di ku do të jem pas pesë vitesh. Por e di që dua të jetoj në një vend ku të drejtat nuk fitohen me lidhje, ku të rinjtë nuk janë vetëm statistikë dhe ku “e drejta” do të thotë e njëjta gjë për të gjithë.
Nëse nuk mund ta gjej këtë – ndoshta mund të ndihmoj ta ndërtojmë. Po filloj nga këtu.


Оставите одговор
Жао нам је, да би поставили коментар, морате бити пријављени.