Shkruan: Irena S, nxënëse e vitit të katërt të shkollës së mesme, 17 vjeç

Nuk e di saktësisht kur filloi, por më duket se nga vajzat pritet të jenë “të bukura” para se të jenë ndonjë gjë tjetër. Qysh kur jemi të vogla, na thonë: “Je e bukur si kukull”, “Sa bukur je veshur”, “Kush ta ka rregulluar kaq bukur flokët?” Dhe në pamje të parë duket e ëmbël, por pak nga pak na mëson që gjëja më e rëndësishme është të dukemi mirë – nga jashtë.

Në shkollë të mesme ky presion bëhet edhe më i fortë. Duhet të kesh lëkurë perfekte, flokë të gjatë, vetulla sipas trendit, thonj si në Instagram, të dish të grimohesh por që të dukesh “natyrale”, të vishesh me stil por jo shumë ngacmuese, të dukesh e rregullt – por pa u dukur sikur je munduar shumë.

Nëse je vajzë që nuk përdor grim, të pyesin a je e sëmurë. Nëse përdor grim – të quajnë “false”. Nëse ke forma, duhet t’i fshehësh “me edukatë”. Nëse je e dobët, thonë që nuk ka ku të mbështetesh. Nëse je e qetë – je “pa shije”. Nëse je e zëshme – je “e tepruar”. Çfarëdo që të bësh – dikujt do t’i pengojë.

Dhe atëherë fillon të dyshosh te vetja. I sheh fotot në rrjete sociale dhe krahasohesh. Harron që filtrat janë kudo. Harron që fytyrat reale janë ndryshe nga ato në TikTok. Dhe më e keqja – harron që vlera jote nuk vjen nga pamja jote.

Kam shoqe që janë të zgjuara, me humor, plot krijimtari – por më shumë se çdo gjë i shqetëson nëse janë “mjaftueshëm të bukura”. A kanë mjekër “si modele”, bark të sheshtë, buzë të plota. Si të gjitha cilësitë e tyre të tjera të zbehen, nëse nuk duken si dikush në rrjete. Dhe kjo dhemb. Sepse na mësojnë të jemi zbukurim, jo njeri.

Njoh edhe vajza që nuk rregullohen “sipas standardit” dhe menjëherë i quajnë të çuditshme, të shpërfillura, “si djem”. Si të ishim të gjitha të prodhuara në një fabrikë dhe duhet të ndjekim një model. Por nuk jemi. Dhe nuk duhet.

Për këtë më duket e rëndësishme ta shkruaj këtë. Të kujtoj veten dhe çdo vajzë që ndonjëherë është pyetur nëse është “e mjaftueshme” – që është. Jemi të bukura edhe kur qeshim me të madhe, edhe kur qajmë, edhe kur kemi ndonjë puçërr, edhe kur stërvitemi, edhe kur rrijmë kot, edhe me grim, edhe pa. Dhe vlera jonë nuk qëndron në maskarë, në flokë të drejta apo në imazhin që të tjerët duan të shohin.

Sepse bukuria nuk është forma e hundës, pesha trupore apo marka në bluzë. Bukuria është ajo që mbajmë brenda vetes – dhe si sillemi me veten dhe me të tjerët. Dhe këtë, askush nuk mund të na e marrë.


Оставите одговор